Bashkepunimi i FSASH/SPASH me IPEC për eliminimin e punes se femijeve
Në kuadrin e Programit Ndërkombëtar për Eliminimin e Punës së Fëmijëve, Federata e Sindikatave të Arsimit të Shqipërise, FSASH, dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit Shqiptar, SPASH, në bashkëpunim me zyrën e IPEC-ut në Tiranë, kanë zbatuar programe dhe kanë organizuar seminare për rritjen e kapacitetit të sindikatave shqiptare në luftën kundër punës së fëmijëve në Shqipëri nëpërmjet arsimimit. Në Seminare janë analizuar hollësisht shkaqet e punës së fëmijëve (varfëria si faktori kryesor, mungesa e arsimit etj.), faktorët e ofertës dhe të kërkesës, pasojat e punës së fëmijëve për vetë fëmijët dhe për shoqërinë, mosha minimale e punësimit në kushtet e Shqipërisë, punët e rrezikshme, sipas konventave përkatëse dhe Vendimit të qeverisë shqiptare, detyrimet dhe masat parandaluese etj. Një vend të rëndësishëm në këto seminare kanë zënë diskutimet për rolin e sindikatave, në përgjithësi, dhe atyre të arsimit, në vecanti, në lidhje me parandalimin e largimit të nxënësve nga shkolla dhe shmangien e punës së fëmijëve. Në këto seminare është bërë një punë e kualifikuar dhe efektive për pajisjen e pjesëmarrësve me njohuritë më të domosdoshme për kuptimin dhe angazhimin e drejtuesve dhe sindikalistëve në luftën kundër punës së fëmijëve. Pjesëmarrësit në seminare u pajisën me një sërë materialesh, si Konventat 138 dhe 182 të ILO-s, që lidhen drejtpërdrejt me këto çështje, lista e formave më të këqija të punës së fëmijëve, sipas Vendimit përkatës të qeverisë shqiptare, materiale të tjera informuese, sidomos për Konventën e OKB për të drejtat e fëmijëve, postera për ndëgjegjësimin e opinionit në luftën kundër punës së fëmijëve etj. Pjesëmarësit në seminare kanë dalë në disa përfundime që përbëjnë edhe drejtime kryesore të të punës së sindikatave të arsimit që janë: - Të shikohet mundësia e ngritjes së një njësie për problemet e punës së fëmijëve pranë Konfederatës së Sindikatave, në një mjedis, me pajisje dhe dokumentacion të mjaftueshëm. - Shoqërimi i kësaj njësie me ngritjen e strukturave lokale të kësaj natyre, duke synuar që kjo gjë të realizohet, si fillim, në 6 prefektura, duke u shrirë më vonë edhe në 6 të tjerat. - Ndëgjegjësim i opinionit shoqëror për këtë problem, nëpërmjet seminareve, botimeve, emisioneve në TV etj. - Sigurimi i një bashkëpunimi efektiv të organeve përkatëse shtetërore, shkollave, komunitetit, OJQ-ve etj., dhe mbështetja e fuqishme financiare për angazhimin me këto probleme. - Permirësimi i ndihmës sociale për familjet që janë nën nivelin e minimumit jetik dhe përmirësimi i tërë sistemit arsimor, sidomos për nxënësit me probleme dhe ata që largohen nga shkolla.
|